Një efektiv i policisë rrugore në qarkun e Lezhës është arrestuar në flagrancë nga oficerët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme pas denoncimit prej një shtetasi kosovar.
I arrestuari është punonjësi i policisë Ylli Ulaj, i cili rreth mesditës së të mërkurës, teksa ndodhej me shërbim në autostradën Milot-Lezhë ka ndaluar një automjet që drejtohej nga shtetasi i Kosovës me inicialet S.D.
S.D. ka kundërshtuar pretendimet e efektivit të policisë për shkelje rrugore, por megjithatë i ka dhënë atij 50 euro në këmbim të lënies së lirë. Menjëherë pasi është larguar, shtetasi kosovar ka telefonuar në 0800 90 90, që është edhe numri pa pagesë i ShÇB-së ku ka denoncuar efektivin Ulaj.
Menjëherë janë vënë në lëvizje oficerët e këtij shërbimi që në momentin e arrestimit i kanë gjetur efektivit në fjalë si provë materiale sasinë e parave.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike”.
Top Channel