Allegri: Monako, më e vështirë se Dortmundi

14/04/2015 00:00

Në prag të sfidës së parë çerekfinale të Champions League që do të zhvillohet në “Juventus Stadium”, Massimiliano Allegri i kërkoi lojtarëve të tij të bëjnë kujdes nga francezët e Monakos.

Sipas trajnerit të bardhezinjve Monako është një ekip më i vështirë për t’u eliminuar se gjermanët e Dortmundit.

“Këto dy ndeshje do të jenë më të vështira për ne sesa dy përballjet ndaj Dortmundit sepse kur luan ndaj një skuadre që pëson shumë pak gola, sfidat janë gjithmonë të vështira. Borussia është një skuadër më tepër sulmuese, ndërsa me Monakon është e kundërta, pasi ata kanë kualitete të mëdha në mbrojtje. Kur ke përballë ekipe të tilla duhet të jesh i duruar dhe të luash me përulësi. Në këtë mënyrë ne duhet të zhvillojmë një ndeshje inteligjente për të arritur te rezultati i dëshiruar”, tha Allegri.

Ndërkohë, trajneri i Monakos, Leonardo Jardim tha se skuadra e tij e respekton Juventusin, por nuk e ka aspak frikë. Sipas teknikut portugez skuadra e tij është me meritë pjesë e çerekfinaleve të Champions-it.

“Për momentin asnjë nga dy skuadrat nuk është kualifikuar dhe ne do të shkojmë në Torino për të bërë lojën tonë. E respektojmë shumë Juventusin pasi ka në përbërje lojtarë të klasit të lartë botëror, dhe unë mendoj se bardhezinjtë nuk varen vetëm nga Tevez. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që ne e kemi frikë Juventusin. Fakti që jemi pjesë e çerekfinaleve tregon se e kemi merituar të jemi në këtë fazë të Champions-it. Asnjë skuadër nuk e kalon raundin pa luajtur, prandaj ne do ta japim gjithçka për të vazhduar këtë ëndërr”, u shpreh trajneri portugez i Monakos.

Top Channel