SHBA, një tjetër republikan në garën e Presidencialeve 2016

13/04/2015 00:00

Garës për zgjedhjet presicendiale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara i është bashkuar së fundi edhe senatori Marco Rubio i Floridës, i cili bëhet kështu republikani i tretë që pretendon të marrë mbështetjen mes republikanëve fillimisht dhe pse jo edhe mandatin e Presidentit amerikan.

Rubio do të bëjë një deklaratë zyrtare mbrëmjen e kësaj të hëne, në të cilën pritet që ai ta prezantojë vetveten si mishërim i ndryshimit të gjeneratave, i cili mund të bashkojë fraksionet e Partisë Republikane dhe të ofrojë zgjidhje ekonomike të përshtatshme për shekullin e XXI, ndërsa momentalisht ka njoftuar vetëm donatorët e tij kryesorë për garimin.

Në moshën 43-vjeçare, kandidati më i ri në fushatën presidenciale që po rritet shumë shpejt, Rubio pritet të konsiderojë veten si një person largpamës, udhëheqës i gjeneratës së ardhshme dhe në një kontrast të nënkuptuar me Jeb Bush, 62 vjeç, familja e të cilit ka dominuar politikat republikane për afro 3 dekada, si dhe Hillary Rodham Clinton, 67 vjeç, bashkëshortja e ish-presidentit dhe me shumë mundësi kandidatura e demokratëve për presidente në 2016-n.

Rubio u bashkohet kështu kolegëve të tij në Senat, Ted Cruz i Teksasit dhe Rand Paul i Kentucky-t, të cilët kanë njoftuar më herët kandidimet e tyre. Mes republikanëve pritet të ketë edhe kandidatura të tjera në këtë garë, veç Jeb Bush dhe guvernatorit Scott Walker të Wisconsin-it.

Top Channel