Interi rikthehet te fitorja, Parma “shtang” Juventusin

12/04/2015 00:00

Interi është rikthyer te fitorja dhe këtë e ka bërë në mënyrë bindëse, pasi ka mposhtur 3-0 në transfertë ekipin e Hellas Verona, falë golave të Mauro Icardi, Rodrigo Palacio dhe një autogoli në fundin e takimit nga Vangelis Moras, teksa më herët portieri slloven i zikaltërve, Samir Handanoviç kishte pritur një penallti të Luca Tonit.

Inter nuk e njihte fitoren që prej fundit të muajit Shkurt, ndërsa fitorja e parë në 6 ndeshjet e fundit i jep kështu më shumë shpresa për një vend në Europa League sezonin e ardhshëm. Ekipi i Roberto Mancinit mbetet në vendin e 10, 6 pikë më pak sesa vendi i pestë i mbajtur nga Sampdoria, së cilës do t’i duhet të udhëtojë për në “San Siro” për t’u ndeshur me Milanin ditën e sotme.

Por, ajo që ka çuditur të gjithë, madje me meritë të veçantë duke ditur gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhet, është Parma, e cila mposhti 1-0 Juventusin në “Tardini”, duke u shkaktuar kampionëve të Italisë humbjen e dytë sezonale në Serie A. Bardhezinjtë vinin nga 20 ndeshje pa humbje në këtë takim, por sërish nuk janë të shqetësuar nga kjo humbje, pasi janë të sigurt drejt sigurimit të titullit të radhës kampion Italie.

Vetëm pak ditë përpara se të presin Monacon në ndeshjen e parë çerekfinaliste të Champions League, trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri kishte preferuar të linte pushim disa prej titullarëve, përfshi portierin Buffon, sulmuesin Tevez dhe mbrojtësin Barzagli.

Top Channel