SHBA, në alarm për Al Kaedën jemenase; ndihma për koalicionin saudit

08/04/2015 00:00

Al Kaeda nuk ndalet. Kreu i degës terroriste të Jemenit ka ofruar 20 kg ar si shpërblim për personat qe do të vrasin ose do të marrin peng kreun e rebelëve Houthi, të cilët janë edhe armiqtë e tyre të deklaruar në vend.

Pas këmbanave të alarmit për situatën atje, Shtetet e Bashkuara do të përshpejtojnë dërgesën e ndihmave në pajisje ushtarake për koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite kundër rebelëve.

Nënsekretari i Shtetit, Antony Blinken ka fajësuar ekstremistët Houthi për krijim të destabilitetit politik dhe ekonomik në Jemen, gjë të cilën Al Kaeda kërkon ta shfrytëzoje.

Por ai këmbënguli se zgjidhja përfundimtare është ajo politike, ndaj shumë këshilltarë amerikanë aktualisht po konsultohen me Këshillin 6-Kombësh të Bashkëpunimit, për një strategji të re.

Edhe pse SHBA kërkon t’i japë më shumë peshë kësaj zgjidhjeje, nga ana tjetër po ndihmon koalicionin saudit me imazhe satelitore të vendndodhjes së rebelëve Houthis, per t’i goditur saktë objetivat e tyre, pa përfshirë pjesën tjetër të banorëve vendas.

Ndërkaq, shefi i Pentagonit ka dhënë alarmin se Al Kaeda në Gadishullin Arabik po përfiton nga kaosi në Jemen për të fituar territor. Sipas Ash Carter, janë disa grupe ekstremiste që nëpërmjet dhunës duan të marrin kontrollin e vendit.

Zyrtarët amerikanë druhen se dega jemenase e Al Kaedës është më e rrezikshmja e terroristëve, sepse përveçse ka ambicje rajonale dhe është armike e fraksionit Houthi, kërkon të arrijë edhe objektivat perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Top Channel