SHBA, vdesin 8 anëtarë të një familjeje; dyshohet për helmim

07/04/2015 00:00

Tetë anëtarë të një familjeje në Merilend të Shteteve të Bashkuara u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre, pasi policia shkoi të kërkonte kryetarin e familjes që nuk ishte paraqitur në punë.

Personi në fjalë dhe 7 fëmijët e tij, të moshave nga 6 në 16 vjeç, u gjetën të pajetë në banesën e tyre.

Një zyrtar i policisë lokale deklaroi se në banesë nuk është konstatuar një hyrje me forcë, ndërsa refuzoi të konfirmonte nëse vdekja kishte ardhur si pasojë e lëshimit të monoksidit të karbonit.

“Kemi disa ide për sa ka ndodhur, por nuk dua të flas derisa gjërat të konfirmohen nga mjeku ligjor”, deklaroi oficeri Scott Keller.

Ajo që dihet është se shtëpia furnizohej me energji elektrike përmes një gjeneratori. Do të jetë autopsia e viktimave, që do të kryhet gjatë së martës, ajo që do të hedhë dritë mbi motivet reale të vdekjeve.

Ndërkohë, nëna e fëmijëve është njoftuar për vdekjet e familjarëve të saj, emrat e të cilëve nuk janë publikuar nga autoritetet.

Ditën e hënë, një punonjës i kompanisë ku punonte babai i 7 fëmijëve telefonoi policinë i shqetësuar për mungesën e kolegut të tij.

Agjentët shkuan në shtëpinë e këtij të fundit, ku ishte parkuar një automjet, por kur trokitën në derë askush nuk u përgjigj. Me ndihmën e një mirëmbajtësi ata hapën derën dhe kur hynë brenda gjetën trupat e pajetë të 8 personave.

Top Channel