Marinzë, banorët debatojnë me ministrin e Shëndetësisë

07/04/2015 00:00

Ministri i Shendetësisë Ilir Beqaj takoi banorët e fshatit Marinzë, për
të mësuar rreth gjendjes së tyre shëndetësore pas shpërthimit të gazit.

Këta të fundit kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e krijuar pas operacioneve të nxjerrjes së naftës nga kompania kanadeze ‘Bankers Petroleum’.

Eshtë dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Banorët ankohen se kanë probleme me gazin që rrjedh në shtëpitë e tyre dhe ministri konfirmoi se 12 persona janë në spitalin e Fierit duke marrë mjekime.

“Me drejtuesit e Qendrës Shëndetësore dhe Shëndetit Publik vendosëm që duhet të shtojmë nga nesër furnizimin me barna dhe materiale mjekësore, sepse këtë javë ka patur konsumim më shumë se normalja. Konstatuam që është e nevojshme të sjellim ekipe mjekësore shtesë për të nisur vizitat edhe në familje”, tha Beqaj.

Në zonë vijon situata e rënduar për shkak të baltës, gazit dhe dëmtimeve të rënda në banesat e Marinzës. Ndërsa nga kompania ‘Bankers’ thuhet se po vijon puna për evidentimin e dëmeve.

Vasili: ‘Bankers’ të dëshmpërblejë banorët

Pranë banorëve të fshatit Marinzë ka mbërritur edhe deputeti i LSI-së, Petrit Vasili. Gjatë bisedës me ta, Vasili deklaroi se kompania “Bankers Petroleum” mban përgjegjësi për çfarë ka ndodhur dhe duhet të dëmshpërblejë banorët.

“Zhdëmtimi i tyre në masën 100 për qind duhet të kërkohet me këmbëngulje të plotë. Eshtë e qartë që kompania ka një përgjegjësi tepër të rëndë për situatën, e cila fatmirësisht nuk ka prodhuar viktima, por dhe mund të prodhonte viktima, për arsye se ishte një situatë krejtësisht e papërgatitur. Detyrimisht unë mendoj që dhe Ministria e Energjisë është e vonuar në zbardhjen e të vërtetës, sepse sigurisht edhe ne, si qytetarë, por banorët më shumë, kërkojnë në radhë të parë të dinë çfarë ka ndodhur realisht. Ndaj ne do të këmbëngulim me të gjithë instrumentët e duhur politikë, por edhe parlamentarë, që kjo e vërtetë të zbardhet sa më parë dhe deri në fund”, tha Vasili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB