Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzën ndaj 32 të pandehurve për veprat penale: “Rekrutimi për terrorizëm”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.
27 prej të akuzuarve dyshohen për veprën “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”, dy për “rekrutim për terrorizëm” dhe tre të tjerë për “armëmbajtje pa leje”.
Për disa nga të akuzuarit ekziston dyshimi se iu kanë bashkangjitur për të luftuar radhëve të ISIS-it në Siri, disa të tjerë kanë bërë ftesë për qytetarët për t’iu bashkuar këtij grupi, ndërkaq disa të tjerë kanë rekrutuar njerëz drejt Sirisë, dhe njëkohësisht kanë mbledhur fonde për organizata të shpallura terroriste nga OKB-ja.
32 të akuzuarit janë pjesë e 57 personave të ndaluar më 9 Gusht të vitit të kaluar. Ndaj 18 personave të ndaluarve, për shkak të mungesës së provave, u pushuan hetimet, ndërsa 7 të tjerë janë ende në kërkim.
Top Channel