Britani, Blair mbështet Ed Milliband: Laburistët duhet të vijnë në pushtet

07/04/2015 00:00

Ish-kryeministri britanik Toni Blair i ka bërë thirrje britanikëve të mbështesin udhëheqësin e opozitës Ed Miliband për të fituar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të 7 Majit.

Në një përpjekje për të shuar zërat se ka mosmarrëveshje mes dy politikanëve, Blair i cili ka kohë që nuk merr pjesë në politikën aktive britanike tha se “unë dua që Laburistët nën drejtimin e Ed Miliband të jenë qeveria e vendit tonë në 8 maj dhe besoj se ne mund dhe do ta arrijmë këtë gjë”.

Blair kritikoi edhe qëndrimin e kryeministrit aktual Cameron për referendumin e përfolur për daljen ose jo të Britanisë nga BE-ja, duke thënë se dalja do rrezikojë vendet e punës dhe bizneset dhe do dëmtojë pozicionin ndërkombëtar të Britanisë.

Sipas Blair kjo mund të ndodhë në kontekstin e një Rusie agresive dhe rritjes ekonomike të Kinës dhe Indisë.Toni Blair edhe pse ka fituar tre mandate, mbetet një figurë kontraverse për publikun britanik, por edhe për vetë laburistët, kur në vitin 2011 delegatët e një konference laburiste fërshëllyen Miliband kur ai  përmendi emrin e Toni Blair-t në një fjalim që mbajti.

Blair, që ka drejtuar Britaninë nga 1997 deri në 2007, ka qenë në fakt mbështetes i vëllait të udhëheqësit aktual të laburistëve, ish-ministrit të Jashtëm, David Milliband i cili humbi në konkurrimin se kush do të drejtonte partinë. Analistët britanikë janë të ndarë në efekin eventual që do ketë ndërhyrja e 61-vjeçarit Blair-it në fushatën elektorale.

Kanë mbetur 30 ditë nga zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të cilat janë më të paparashikueshmet dhe pritet të jenë më të ngushtat për nga rezultati që nga vitet ‘70 të shekullit të kaluar. 

Besohet gjerësisht se qeveria e ardhshme britanike do të jetë produkt i një koalicioni ose me nacionalistët skocezë, ose me euroskeptikët antieuropianë të UKIP.

Top Channel