Polonia përforcon kufirin me Rusinë; Moska shton raketat në Kaliningrad

06/04/2015 00:00

Polonia do të ndërtojë kulla vrojtimi në 200 kilometër vijë kufitare me enklavën ruse të Kaliningradit në veri të vendit.

Në total do të ndërtohet gjashtë kulla vrojtimi të lartë mbi 50 metra. Ato do të kushtojnë rreth 3 milion euro dhe do të jenë të pajisura me mjetet teknologjike dhe logjistikën e fjalës së fundit për monitorimin e kufirit.

Pjesa më e madhe e këtyre parave do të merret nga Fondi i Bashkimit Europian për ruajtjen e kufijve.

Kjo lëvizje e Polonisë mbërrin në një moment tensionesh mes Moskës dhe Perëndimit. Ka raportime se Rusia ka rritur aktivitetin ushtarak në këtë rajon duke shtuar prezencën e raketave me rreze të shkurtër veprimi, të njohura si “Iskander”.

Kaliningradi është rajoni rus që kufizohet me Lituaninë në veri-lindje, Poloninë në jug-perëndim dhe Detin Balltik në veri-perëndim dhe perëndim.

Njihet ndryshe edhe si Konigsberg dhe ka qenë një qendër e Perandorisë Pruse. Nga nazistët u shfrytëzua si një ndër bazat e rëndësishme për fushatën ushtarake në lindje. Në fund të Luftës së Dytë Botërore u rrafshua nga bombardimet e Ushtrisë së Kuqe, e cila mori kontrollin e plotë të tij në vitin 1945. Gjermanët braktisën rajonin, ndërsa ata që refuzuan fillimisht u zhvendosën me forcë më vonë.

Më 4 korrik të vitit 1946 iu ndryshua emri nga Konigsberg në Kaliningrad për nder të Mikhail Kalinin, një prej udhëheqëve të revolucionit bolshevik dhe autor i famëkeqes “Masakra Katyn” në vitin 1940 ku u pushkatuan 22 mijë oficerëve polakë.

Top Channel