Konflikti në Jemen, Kryqi i Kuq do të dërgojë ndihma në Sana

06/04/2015 00:00

Kryqi i Kuq do të dërgojë ndihma në kryeqytetin e Jemenit, Sana. Sipas BBC, dy avionë do të transportojnë ndihma ushqimore dhe personel mjekësor në vendin ku sipas Kombeve të Bashkuara, janë vrarë më shumë se 500 persona që kur kanë nisur bombardimet saudite.

Mendohet se Kryqi i Kuq do të dërgojë edhe mjekë kirurgë në Aden me anë të anijeve.

Në zonat të ndryshme të Jemenit luftimet e ashpra vazhdojnë. Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite vijon sulmet ajrore duke sjellë shkatërrime të mëdha në një vend ku varfëria mbizotëron prej vitesh.

Lëvizja shiite Houthi, pavarësisht sulmeve të armikut, vazhdon të luftojë duke treguar guxim dhe shpirt të fortë luftarak. Kjo shpjegon edhe kujdesin e sauditëve në ndërmarrjen e një operacioni tokësor.

Riadi zyrtar ka angazhuar shumë reparte në kufi, por për momentin preferon t’i qëndrojë besnik opsionit ajror.

Top Channel