Dështimi me pilotin gjerman, në pikëpyetje sistemi i përzgjedhjes së “Lufthansa”-s

06/04/2015 00:00

Kriteret e “Lufthansa”-s në përzgjedhjen e pilotëve janë ndër më të rreptat, e megjithatë Andreas Lubitz është kthyer në argumentin e ekspertëve se sistemi i linjës më të madhe ajrore gjermane ka dështuar.

Analizimi i kutisë së dytë të zezë të “Airbus”-it të rrëzuar në Alpet franceze, hoqi përfundimisht çdo dyshim se tragjedia mund të ishte një aksident. 27-vjeçari Lubitz e ka rrëzuar qëllimisht avionin e “Germanwings”, duke marrë kështu 149 jetë të pafajshme njerëzish.

Javët e ardhshme priten të dhëna të mëtejshme, siç janë ato nga analiza e flokëve të të vdekurit, për të marrë vesh nëse ai merrte mjekime kundër depresionit. Raportet më të fundit në media tregojnë se përpara atij veprimi fatal, i riu ishte konsultuar me një numër goxha të madh mjekësh, apo befasues, siç e përshkruan “the Independent”, ndërsa kërkimet mbi mënyrat e vetëvrasjes në internet i kishte bërë nën pseudonimin “djalli i qiellit”.

Në javët përpara asaj që si cilësohet si vetëvrasje dhe vrasje bashkë, 27-vjeçari ka kontrolluar për informacione online mbi “bipolaritetin”, “psikozën maniak-depresiv”, “migrenën”, “problemet me shikimin” dhe “traumën akustike”.

Tani, në vëmendjen e opinionit publik dhe ekspertëve nuk është më vetëm Lubitzi dhe situata mendore e tij, por vetë sistemi përzgjedhës i “Lufthansa”-s. Kërkesa për pilotë, vitet e fundit është rritur ndjeshëm. Janë me qindra pilotë që fluturojnë, por që rezultatet e testimit nuk i kanë aq të larta sa Lubitz.

Megjithatë, sistemi duket nuk po funksionon siç duhet, për shkak se bazohet kryesisht në supozimin se kush do të bëhet pilot ëndërron që në fëmijëri për të fluturuar dhe nuk dëshiron asgjë më shumë se të veshë uniformën me katër vija ari në mëngë.

Verifikimet mbeten pra sipërfaqësore. Piloti i dytë ishte nga pamja e jashtme i shëndetshëm, ai ua kishte dëshmuar aftësitë e tij fizike mjekëve të punëdhënësit të tij verën e kaluar. Por, gjendja e tij mendore nuk ishte marrë më në shqyrtim në detaje, që nga koha e shkollimit, sikurse është zakon për të gjithë pilotët e “Lufthansa”-s.

Top Channel