Britani, kryeministri Cameron: Do të ulim taksat

06/04/2015 00:00

“Është e pamoralshme t’i mbash shpenzimet dhe taksat e larta”, deklaroi David Cameron, një pohim ky i shoqëruar me zotimin të fshijë 200 paundë apo rreth 272 euro nga lista e detyrimeve tatimore të miliona familjeve britanike.

E thënë ndryshe, shkurtimin e taksave e përfitojnë 9 në 10 prej tyre. Niveli i të ardhurave të përjashtuara nga taksat do të rritet në 10.600 paundë në vit, çka do të shtojë çdo muaj 17 paundë në xhepat e qytetarëve, ndërsa kryeministri britanik duket i vendosur të argumentojë mundësinë e një uljeje të mëtejshme të taksave dhe të shpenzimeve burokratike.

“Nuk ekziston e ashtëquajtura ‘para publike’, nuk ka të tilla para. Ka vetëm para të taksapaguesve. Ne besojmë se njerëzit vetë, dhe jo politikanët, e dinë më mirë se si t’i shpenzojnë paratë e tyre”, u shpreh Cameron.
 
Kjo është ajo çfarë Cameron pritet të deklarojë sot, e pohuar në mediat vendase, që nënvizojnë një frazë pikante në fjalimin e kreut të ekzekutivit: “Është e gabuar dhe sinqerisht e pamoralshme që qeveria të shpenzojë para pa hesap, sikur ato të rriteshin nëpër pemë”.

Verifikimet e thesarit tregojnë se nga ndryshimet do të përfitojnë 14 milionë familje punëtore, ndërsa 9 në 10 familje pensionistësh do të marrin 15 paundë më tepër në muaj. Dobi më të madhe prej kësaj skeme do të kenë familjet me të ardhura mesatare tek 23.000 paundë në vit dhe më pak merr 10 perqindëshi i atyre që fitojnë më shumë.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu shfuqizimin e rregullave të vjetra të pensioneve, çka do të lejojë aksesin tek paratë e pensionit si në një llogari të zakonshme rrjedhëse. Në këndvështrimin e Cameron, nisma në fjalë do ta bëjë Britaninë një vend më të mirë dhe më të drejtë për të jetuar.

Dy janë subjektet që përbëjnë boshtin e saj: ekonomia, që në një botë gjithmonë e më konkurruese nxjerr në pah nevojën për të stimuluar punën duke e bërë më frytdhënëse, dhe çështja e avancimit që si mënyrën më të mirë për ta mbajtur të lartë standardin e jetesës, parashikon t’iu lihen në përdorim njerëzve më shumë nga paratë që fitojnë.

Top Channel