Shpërthim në rezidencën në Golem. Dëme në disa apartamente bosh

04/04/2015 00:00
Foto arkiv

Një shpërthimi i fuqishëm lënde plasëse ka tronditur zonën turistike të Golemit në Kavajë, të shtunën në mbrëmje. I gjithë kati i pestë i një prej godinave të kompleksit turistik të Durim Verrias, te “Pishat e Buta” në Golem, është shkatërruar nga shpërthimi i fortë, që ka shkaktuar dëme materiale dhe në banesa të tjera pranë tij.

Sipas burimeve të policisë lokale, shpërthimi është kryer përmes vendosjes së një sasie tritoli në derën e jashtme të banesës, e cila është aktivizuar përmes një fitili zjarrpërcjellës.

Për fat të mirë, në banesë si dhe në katet e poshtme nuk ka pasur njerëz, pasi godina shfrytëzohet kryesisht përgjatë verës.

Burimet bënë të ditur se banesa është në pronësi të motrës së pronarit të kompleksit rezidencial turistik, shtetases Fatmira Verria, e cila jeton jashtë vendit në Francë. Hetimet janë përqëndruar në konfliktet e mundshme të familjes Verria.

Një nga pistat kryesore është ajo e një konflikti të mundshëm për çështje pronësie.

Top Channel