ISIS hyn në kampin palestinez në Damask

01/04/2015 00:00

ISIS vazhdon të zgjerojë gjeografinë e territoreve nën kontrollin e tij në Siri. Aktivistë dhe zyrtarë palestinezë lëshuan alarmin se militantët ekstremistë kanë hyrë në kampin palestinez të Yarmouk-ut në Damask, duke marrë nën kontroll pjesën më të madhe të tij.

Raportohet për luftime mes militantëve dhe grupeve palestineze brenda kampit. Dëshmitarë dhe disa media raportojnë se xhihadistët kanë shfrytëzuar rrethinat e Hajar Asëad për të hyrë na kamp.

Kampi është ngritur fillimisht në vitin 1948, gjatë luftës së vendeve arabe me Izraelin për të pritur dhe strehuar përkohësisht refugjatët palestinezë. Që prej asaj kohe është shndërruar në shtëpinë e qindra-mijëra palestinezëve të zhvendosur, si pasojë e konfliktit të stërzgjatur me Izraelin.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në kamp aktualisht jetojnë rreth 18 mijë palestinezë, të cilëve u privohen ushqimet, medikamentet dhe uji i pijshëm.

Para nisjes së luftës civile në Siri në kamp numëroheshin 150 mijë refugjatë palestinezë, por konflikti i stërzgjatur mes forcave të opozitës dhe ushtrisë së Assad e kanë shndërruar herë pas here kampin në një ‘mejdan’.

Top Channel