Zbulohen mijëra litra pije alkoolike, subjekti nuk paguante akcizë

30/03/2015 00:00

Mijëra litra pije alkoolike janë zbuluar dhe sekuestruar nga autoritetet
doganore, pasi prodhimi i tyre “nuk ishte i autorizuar” dhe subjekti
është shmangur nga pagesa e akcizës.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njoftoi sot se, grupet e përbashkëta doganore dhe “Crown Agents” ushtruan kontroll në ambientet e subjektit “F. K.”, në fshatin Mazhe, në rrethin e Krujës.

Raportohet se, gjatë kontrollit rezultoi se subjekti prodhonte pije alkoolike në mënyrë të paautorizuar dhe të jashtëligjshme në ambientet e një restoranti në ndërtim, duke shmangur detyrimet e akcizës.

“9400 litra të dyshuara si bërsi rrushi për prodhimin e rakisë, 4800 litra të dyshuara si verë, 65 litra verë e paetiketuar dhe e ambalazhuar në shishe, si edhe 334,5 litra verë e paetiketuar dhe e ambalazhuar në kuti kartoni, u gjetën gjatë kontrollit dhe u sekuestruan nga strukturat e Doganës. U sekuestruan gjithashtu edhe 20 depozita me kapacitet nga 1600 deri në 4000 litra”, thuhet më tej në njoftim.

Subjekti “F.K.”, sipas autoriteteve doganore, ishte i regjistruar si subjekt tatimpagues prej vitit 2008 dhe ishte pajisur me leje nga AKU për prodhimin e verës, por asnjëherë nuk ishte regjistruar si subjekt Akcize pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

“Subjekti kishte edhe mangësi të theksuara në dokumentacion, ku mungonin librat e blerjes së lëndës së parë dhe ata të shitjes së produktit përfundimtar”, përfundon njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Top Channel