SHBA, të shtëna përpara selisë së NSA-së; vritet agresori

30/03/2015 00:00

Një “incident” është verifikuar para selisë së Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, që ndodhet në bazën Fort Mid të Merilendit.

Sipas versionit të parë të ngjarjes, një automjet me dy persona në bord është përpjekur të godasë dhe të rrëzojë kangjëllat që rrethojnë kompleksin.

Agjentët e sigurisë kanë reaguar menjëherë duke hapur zjarr dhe një nga agresorët ka humbur jetën, ndërsa një agjent mësohet se ka mbetur i plagosur nga vërshimi i makinës.

Pamjet filmike, të transmetuara në internet, tregojnë disa automjete të dëmtuara jashtë oborrit të selisë së NSA-së, si dhe një trup të pajetë të mbuluar me çarçaf të bardhë. Një nga automjetet i përket policisë, ndërsa tjetri është një fuoristradë civile.

Rreth një javë më parë, pranë selisë së NSA-së u verifikua një tjetër incident i çuditshëm. Një person, që më pas u arrestua, qëlloi me armë ndaj selisë së shërbimit inteligjent elektronik dhe më pas vuri në shënjestër një automjet që ndodhej aty pranë.

Bëhet fjalë për dy sulme që nuk kanë pasur pasoja serioze dhe që nga hetimet e kryera nuk kanë dalë aspekte të veçanta.

Selia e NSA-së është shumë e mbrojtur. Ajo është e rrethuar nga kangjëlla të mëdha, nga pengesa rrugore për të ndaluar auto-bombat, si dhe roje të shumta të armatosura.

Gjithashtu, disa patrulla policie kontrollojnë vazhdimisht zonën për të shmangur ndonjë surprizë. Një sistem sigurie ky i organizuar nga policia e Merilendit dhe shërbimi i sigurisë së brendshme.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel