Elbasani, një ditë pas kurorëzimit “kryeqytet” për disa orë

30/03/2015 00:00

Mendjet dhe zemrat e miliona shqiptarëve kanë qenë të mbërthyera mbrëmë në ato pak metra të fushës së blertë të “Elbasan Arena”, nga ku skuadra jonë kombëtare mori 3 pikë të vlefshme për rrugëtimin e saj në “Euro 2016”. Ndryshe nga zhurma e mbrëmshme, sot gjithçka atje i është kthyer normalitetit, për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës.

Stadiumi “Elbasan Arena” ishte mbushur mbrëmë në të gjithë kapacitetin e tij. Rreth 30 tifozë armenë dhe më shumë së 12 mijë shqiptarë ndoqën me ankth dhe emocione nga ky stadium, ndeshjen e skuadrës sonë kombëtare kundër Armenisë. Përkundër disa stolave të thyer, që as këtë herë nuk shpëtuan, situata përgjithësisht kaloi e qetë.

Policia kishte marrë masa për kontrollin e tifozëve, në mënyrë që të mos lejohej në stadium asgjë, që mund të cënonte mbarëvajtjen e ndeshjes. Ndërkohë, nga grumbullimet masive, edhe në qytet nuk janë shënuar incidente serioze.

“Elbasan Arena”, një ditë pas ndeshjes i është rikthyer punës për pastrimin e ambienteve dhe për zëvendësimin e stolave të thyer.

Qyteti i Elbasanit është zgjuar në një ditë normale, edhe pse ende në ballkone valëviten flamujt kuqezi. Ndërkohë, ka ende nga ata tifozë, që mbajnë të veshura simbolet e Kombëtares.

Të gjithë qytetarët, edhe ata që nuk janë tifozë nuk kanë si të mos e përjetojnë me emocione fitoren e Kombëtares, ndërkohë që shprehen se ndërtimi i këtij stadiumi i dha jetë qytetit.

Nga ana tjetër qëndrojnë “më të fituarit”, bizneset, të cilat në këto evente sportive kanë një fluks të madh pune. Hotele, bare dhe restorante kanë qenë të tejmbushura, kryesisht me tifozë, që në pamundësi të një bilete, kanë qëndruar së bashku nëpër lokale për të festuar.

Qyteti i Elbasanit ka qenë mbrëmë kryeqendra e të gjithë shqiptarëve. Mijëra tifozë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por sidomos të Kosovës dhe Maqedonisë, me apo pa bileta kanë zgjedhur të jenë sa më afër Kombëtares, duke e ndjekur ndeshjen në Elbasan. “Shtëpia e re” e Kombëtares duket se po e gjallëron këtë qytet, edhe pse vetëm për disa ditë të vitit.

Top Channel