Adresat mbajnë “peng” Postën, diskutohet projektligji i ri

30/03/2015 00:00

Shërbimi postar në Shqipëri vuan mungesën e një sistemi të saktë të adresave pas zhvillimeve të mëdha demografike në zonat urbane dhe rurale të pas viteve ‘90.

Gjatë raportimit të ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, mbi projektligjin e ri të shërbimit postar, deputetët kërkuan një afat sa i përket zgjidhjes së problemit të adresave, pa të cilin, siç shprehen ata, çdo ligj i miratuar nuk mund të përmirësojë shërbimin për qytetarët.

“Në qershor shpresojmë të mbarojë fotografimi ajror, pas kësaj krijohet sistemi i adresave elektronike dhe pas saj do të duhet që bashkitë e reja ta implementojnë në terren”, u shpreh Harito.

Ligji aktual daton që në vitin 1999, kur në treg operonte vetëm Posta Shqiptare, ndërsa sot operojnë edhe 11 operatorë të tjerë. Ligji i ri parashikon heqjen e konceptit të zonës së rezervuar për operatorin historik dhe të drejtave ekskluzive për të nxitur një treg konkurrues sipas direktivës së BE-së.

Top Channel