Polici-OSHEE: 61 raste vjedhjeje, 13 të arrestuar dhe 3 procedime punonjësish

29/03/2015 00:00

Në raportin e përjavshëm mbi aksionin e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së në të gjithë vendin, për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, por edhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, bëhet e ditur se gjatë javës së fundit kanë vepruar 110 grupe të përbashkëta të këtyre dy institucioneve.

Sipas policisë, janë kryer kontrolle në terren në 7912 raste gjithsej ndaj abonentëe biznes dhe familjarë, duke evidentuar 61 raste të vjedhjes së energjisë me 61 autorë të kësaj shkeljeje penale, ndër të cilët janë arrestuar në flagrancë 13, janë shpallur në kërkim 21 persona, ndërsa po ndiqen penalisht në gjendje të lirë 27 persona të tjerë.

Gjithashtu, siç njofton policia, janë proceduar penalisht dhe ndiqen në gjendje të lirë edhe 3 punonjës të OSHEE-së për shpërdorim detyre, dy elektriçistë në Durrës dhe një në Sarandë. Gjatë kësaj jave janë ndërprerë 4350 lidhje të abonentëve debitorë dhe 61 lidhje të paligjshme. Janë kontrolluar gjithashtu 111 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen prej tyre.

Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosura ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë apo punonjës të vetë OSHEE-së.

Top Channel