Koncesioni i parkimeve në Vlorë, Prefektja: Do bëhet rishikimi apo edhe revokimi

29/03/2015 00:00

Për Prefekten e Qarkut të Vlorës, kontrata koncesionare për parkimet në qytetin bregdetar do të rishikohet apo revokohet. Kontrata është bërë pas një vendimi të Këshillit Bashkiak. Ndërkohë që, Prefektja ka njoftuar dorëheqjen e sekretarit të Prefekturës, që mban përgjegjësinë për firmosjen e vendimit.

“Vendimi i Këshillit Bashkiak të Vlorës për të dhënë me koncesion vendparkimet e qytetit bregdetar për një afat 15-vjeçar, është plotësisht në kundërshtim me interesat dhe vullnetin e qytetarëve vlonjatë. Ndaj, sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës nuk duhej të kishte firmosur në asnjë rrethanë një vendim të tillë, pa pasur më parë një konsultë përfundimtare me Prefekten e Qarkut. Pa dashur të hyj në debatet mbi ligjshmërinë e vendimit të Këshillit Bashkiak, kam menduar dhe vijoj të mendoj se ky është një vendim totalisht i gabuar, në dëm të qytetit, kundër interesave të qytetarëve, që ka injoruar plotësisht zërin e shumicës së vlonjatëve dhe vlonjateve. Sigurisht që, në këto rrethana nuk mundem dhe nuk do të lejoj në asnjë rast, që vendimmarrje të tilla të mund të tolerohen. Kam nisur konsultimet e nevojshme me instancat më të larta juridike për të gjetur rrugën e duhur që do t’ua rikthejë Vlorën vlonjatëve, duke rishikuar apo revokuar kontratën koncesionare në fjalë”, u shpreh Etjona Hoxha, Prefekte e Qarkut Vlorë.

Koncesioni, që mori miratimin e Këshillit Bashkiak të Vlorës me unanimitet, parashikon një shfrytëzim të parkimeve publike nga një kompani private, për një afat kohor prej 15 vitesh.

Top Channel