Kakavijë, transportonte 12,3 kg marijuanë, arrestohet

29/03/2015 00:00

Policia Kufitare e Kakavijës ka mundur të ndërhyjë me efikasitet në një tjetër aksion kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duke bërë të mundur sekuestrimin e 12,3 kg marijuanë, të ndarë specifikisht në 1,9 kg çokollatë dhe 10,4 kg marijuanë.

Efektivët e Policisë Kufitare, gjatë aksionit të zhvilluar mëngjesin e kësaj të diele në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, gjatë kontrollit të detajuar të automjeteve në vijën e dytë të daljes për në shtetin grek, rreth orës 7 të mëngjesit ka mundur të konstatojë pako të dyshuara me lëndë narkotike në mjetin tip “Nisan”, me targa AA 352 JE, në pronësi të shtetasit Elton Çako, 33-vjeçar me banim në Fier, i cili ka përfunduar nën pranga.

Menjëherë pas këtij konstatimi janë njoftuar grupi hetimor dhe specialistët e Sektorit kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, të cilët kanë mbërritur në Kakavijë për kontrolle më të imtësishme, duke konkluduar në sekuestrimin e 4 pakove me lëndë narkotike në shasinë e mjetit, me çokollatë, dhe 5 pakove me marijuanë.

Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës për veprimet e mëtejshme të specializuara, ndërkohë që akuzohet për veprën penale të “trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Provat materiale dhe ato hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel