Elbasani “vishet” kuqezi. De Biasi e nis me lutje për fitore në kishë

29/03/2015 00:00

Elbasani është veshur kuqezi, ndërkohë që vetëm pak orë na ndajnë nga takimi Shqipëri-Armeni, i vlefshëm për kualifikueset e Europianit 2016.

Mijëra tifozë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht nga Kosova, presin të ndjekin nga shkallët e stadiumit “Elbasan Arena” këtë sfidë të rëndësishme. Ata shprehen entuziastë për fitoren e skuadrës sonë kombëtare.

“Kam ardhur nga Kosova, vetëm për të parë ndeshjen. Shpresoj dhe uroj vetëm fitore”, thotë një tifoz nga Kosova.

“Vijmë nga Tirana, sigurisht për të parë ndeshjen. Do të fitojë padyshim 2-0”, shprehet një tjetër tifoz nga Tirana.

Gjithçka është përqëndruar edhe në sheshin “Gensher”, ku “Digitalb Arena” do të gjallërojë atmosferën duke iu dhënë zemër djemve kuqezi në këtë përballje. Me moton “Kuqezi je ti”, sheshi i Elbasanit do të ndizet deri përpara ndeshjes, ku tifozeria do të zhvendoset më pas drejt stadiumit.

Ndërkohë, trajneri tashmë “shqiptar” i Kombëtares sonë, Gianni De Biasi, ndoshta edhe për shkak të zakoneve të tij, por edhe për t’i sjellë skuadrës fat në këtë ndeshje, ka ndjekur meshën e së dielës në kishën katolike “Shën Piu X”. Pasi ka marrë bekimin, De Biasi është nisur drejt stadiumit për të diskutuar me lojtarët përgatitjet e fundit.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se, në bashkëpunim me “DigitAlb” kanë organizuar transmetimin e ndeshjes Shqipëri–Armeni në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, duke filluar nga ora 18:00.

Drejtuesit e kryeqytetit kosovar ftojnë të gjithë sportdashësit, që ta përkrahin Kombëtaren e Shqipërisë, e cila do të përballet me Armeninë në “Elbasan Arena”, në përpjekje për të siguruar kualifikimin në “Euro 2016”.

Top Channel