Rriten denoncimet kundër korrupsionit, Çuçi: Qytetarët frenohen në fazën finale

28/03/2015 00:00

Dy muaj nga prezantimi i portalit “stopkorrupsionit.al”, në një intervistë për Top-Channel koordinatori kombëtar Bledi Çuçi thotë se numri denoncimeve sa vjen e rritet.

Numrin më të madh të denoncimeve e marrin sektori shëndetësisë dhe arsimit. Por ka edhe një shtim të rasteve, ku qytetarët denoncojnë ndërtimet pa leje.

“Deri më sot kemi një numër të lartë denoncimesh, janë rreth 4256 denoncime në total, nga të cilat 2086 janë çështje që cilësohen të zgjidhura dhe pjesa tjetër rreth 839 janë në proces. Ka edhe një pjesë të vogël që nuk kanë lidhje me korrupsionin, që nuk janë denoncime fare, sikundër janë disa çështje që nuk janë në kompetencë të institucioneve që i janë drejtuar. Kemi një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të ndëshkuar, shumica me masa disiplinore, por ka edhe denoncime e kallëzime penale në Prokurori. Deri më sot në prokurori janë rreth 20 çështje që janë dorëzuar si rezultat vetëm i denoncimit që ka ardhur në portalin stopkorrupsionit.al”, thotë zoti Çuçi.

Gjatë dy muajve të ekzistencës së këtij portali Çuçi shpjegon një problematikë të vënë re.

“Ata që denoncojnë për korrupsion, në momentin që ne i kërkojmë të bashkëpunojnë për t’i çuar përpara drejtësisë personat që i kanë kërkuar ryshfet, apo pretendojnë se i kanë kërkuar ryshfet, vihet re një tërheqje e qytetarëve nga ky angazhim”, thotë ai.

Njësia antikorrupsion në Kryeministri, me mbështjetjen e Bankës Botërore ka nisur edhe një projekt, i pari në rajon ku qytetarëve u dërgohen mesazhe çdo ditë për të marrë vlerësimin e tyre për cilësinë e shërbimve që atyre u ofrohen.

“Kemi filluar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, në spitalet, siç është QSUT, qendrat rajonale në Durrës, Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Korçë. Në 10 ditë u kemi dërguar 8039 qytetarëve që janë shërbyer çdo ditë nga këto institucione, ku kemi marrë përgjigjje nga 1725. Qytetarët shprehen për një nivel të kënaqshëm të shërbimit dhe kemi raste të vogla për mungesën e cilësisë së shërbimit dhe denoncimeve të ryshfetit”, sqaron Çuçi.

Top Channel