Lame inspekton në terren ndërtimet në proces legalizimi

28/03/2015 00:00

Në gjithë Tiranën janë regjistuar rreth 40 mijë objekte të cilat janë në proces legalizimi. Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame gjatë inspektimit që ka zhvilluar në zonën e Bathores dhe të Ali Demit tha se u është dashur që të hapin zyra të reja në disa zona të Tiranës për të përballuar fluksin e madh të kërkesave të qytetarëve.

“Një pjesë e mirë e objekteve pa leje janë hedhur në planimetrinë e Tiranës. Duhet të kemi parasysh që Tirana ka rreth 40 mijë objekte të ndërtuara pa leje”, deklaroi Lame.

Në terren janë shpërndarë 80 punonjës të ALUIZNI-t të ndarë në 40 grupe, të cilët bëjnë inspektimin e detajuar të çdo zone dhe më pas nisin përpilimin e dosjeve për çdo objekt.

“Janë 80 punonjës të ALUIZNI-t që janë në terren dhe kanë mbuluar të gjithë qytetin e Tiranës, kryesisht brenda zonës së Bashkisë së Tiranës. Pasi përfundon inspektimi hidhen të gjithë të dhënat në sistem dhe përpunohen dosje pas dosje”, shtoi kreu i ALUIZNI-t.

Inspektimi do të vijojë edhe në fundjavë, tha Lame pasi është e vetmja kohë kur banorët qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Top Channel