Turqia u jep më shumë “pushtet” forcave të rendit, frikë përpara zgjedhjeve

27/03/2015 00:00

Parlamenti i Turqisë miratoi me një shumicë dërrmuese një ligj të ri mbi sigurinë gjatë së premtes, duke zgjeruar fuqitë e policisë dhe duke u lejuar atyre të përdorin armët e zjarrit kundër demonstruesve, gjë që thellon edhe më tej frikën se mund të goditen disidentët përpara zgjedhjeve parlamentare.

Ligji i ri vjen në një periudhë tepër të ndjeshme, duke pasur parasysh bisedimet e vështira për t’i dhënë fund kryengritjes prej afro 3 dekadash të kurdëve. Këta të fundit thonë se ligji i ri i sigurisë mund të përdoret për të shënjestruar pikërisht ata.

Parlamenti miratoi gjithashtu edhe një ligj, që i lejon qeverisë të kufizojë aksesin ndaj faqeve të internetit që synojnë të kërcënojnë jetë individësh, rendin publik apo liritë e njerëzve. Ankaraja zyrtare ka bërë të ditur se reformat e fundit e sjellin policinë e këtij vendi pranë standardeve të homologëve të tyre në Europë, edhe pse kjo kundërshtohet nga grupet e të drejtave të njeriut.

Kritikët thonë se liria e shprehjes kërcënohet nga partia AK, e themeluar prej presidentit aktual, Tayyip Erdogan.

Partia Popullore Republikane (CHP), kryesorja e opozitës bëri të ditur se do të nisë një sfidë gjyqësore kushtetuese ndaj ligjit të ri mbi sigurinë, përpara zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ligji i ri u jep forcave të rendit më shumë fuqi për kërkime, ndalon bartjen e fishekzjarreve, gurëve dhe llastiqeve, si dhe përcakton deri në 5 vjet burgim për ata që mbulojnë fytyrat nëpër protesta. Sipas kritikëve, ky ligj shihet si një hakmarrje e qeverisë për dhunën vdekjeprurëse të shpërthyer së fundi, veçanërisht në juglindjen e mbizotëruar nga kurdët.

Kjo mund të jetë gjithashtu një përpjekje për të fituar më shumë votues nacionalistë, të cilët kundërshtojnë procesin e paqes. Sa për t’u ditur, ligji u miratua me 199 vota pro dhe 32 kundër.

Top Channel