Rastet misterioze të vetëvrasjeve tragjike të pilotëve

27/03/2015 00:00

Në historinë e Aviacionit Civil të këtyre dekadave të fundit janë regjistruar disa raste të diskutueshme, ku njëri prej pilotëve mund të ketë shkaktuar aksidentin për të vrarë veten, por duke përfshirë në atë mes edhe jetë të pafajshme.

Episode jo gjithmonë të qarta, të rrethuara nga interpretime pafund apo vlerësime kundërthënëse.

Nuk ka pasur pothuajse kurrë një përfundim unanim, për atë çfarë ndodhi 5 majin e vitit 1972, në malin Longa. Një trajektore e pakuptueshme e avionit të “Alitalia”-s, të nisur nga Roma drejt Palermos, dhe asnjë shpjegim i qartë deri më sot, përse pilotët kaluan pistën dhe në heshtje e çuan avionin drejt malit, pa bërë asnjë përpjekje për të ndryshuar drejtimin e tij. Aksidenti u kushtoi jetën 115 personave.

9 shkurtin e vitit 1982, një “DC-8” i “Japan Airlines” rrëzohet në det, pak përpara zbritjes në aeroportin Haneda të Tokios. Shkaku ishte një manovër e gabuar dhe e qëllimshme e komandantit Seiji Katagiri. Komisioni hetimor doli në përfundimin se Katagiri, që kishte pasur shqetësime nervore, kishte manipuluar motorët në 300 metra lartësi, pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara të dy anëtarëve të tjerë të ekuipazhit për ta ndaluar. Në këtë incident gjetën vdekjen 24 vetë e u plagosën 150 të tjerë.

Gushtin e 1994-tës, piloti i parë në fluturimin “Royal Air Maroc 630” shkëput aparaturat dhe avioni rrëzohet në një zonë në veri të Agadirit: viktimat ishin 44. Hipoteza më e përfolur është ajo e vetëvrasjes, por kolegët nuk janë të bindur dhe e mbrojnë figurën e tij. Të dhënat e përftuara nga regjistruesi i zërit, megjithatë, pohojnë të kundërtën.

Indonezi, dhjetor 1997. Një “Boeing 737” i kompanisë lokale “Silkair”, i nisur nga Xhakarta për në Singapor, rrëzohet në një xhungël; viktimat janë 104. Për hetuesit nuk ka asnjë dyshim, se aksidenti në fakt nuk ishte aspak i tillë, por vepër e qëllimshme e pilotit, i cili kishte probleme të mëdha financiare dhe, pak përpara ngjarjes kishte firmosur një policë sigurimi.

Tetorin e dy viteve më vonë, një avion i “Egypt Air”, i nisur nga Los Angelesi për në Kajro, bie në oqeanin Atlantik, duke shkaktuar vdekjen e 217 personave. Nga regjistrimi i zërit kuptohet se piloti i dytë këmbëngul të zëvendësojë komandantin, e sapo ky del nga kabina vendosi pilotin automatik dhe avioni nis një pikiatë, që përfundon në tragjedi.

Incident i ngjashëm është ai i vitit 2013 në Mozambik, si dhe fluturimi i mistershëm “MH370”, ku mes shumë hipotezash të tjera diskutohet edhe ajo e vetëvrasjes së njërit prej pilotëve, apo dikujt tjetër që mund të ketë hyrë në kabinë.

Top Channel