Nigeri, ushtria bastis bastionin e Boko Haram; rimerr nën kontroll qytetin

27/03/2015 00:00

Ushtria nigeriane deklaron se ka rimarrë nën kontroll qytetin veri-lindor Guoza, që konsiderohet si baza e militantëve islamikë të grupit Boko Haram.

Sipas autoriteteve ushtarake të vendit, rebelët janë dëbuar nga i gjithë territori që kishin zaptuar dhe disa prej tyre madje janë detyruar të arratisen përtej kufirit.

Lajmi për rimarrjen nën kontroll të qytetit Guoza vjen një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale, që u shtynë me 6 javë për shkak të ofensivës kundër Boko Haram.

Pozita gjeografike e Guozës e kishte bërë qytetin bazën ideale të rebelëve. I ndodhur në afërsi të maleve Mandara, ai u ofronte mbrojtje xhihadistëve të cilët mund të arratiseshin në Kamerunin fqinj derisa policia të kryente patrullimet.

Atje ndodhet gjithashtu një sistem kompleks shpellash dhe tunelesh, disa prej të cilëve depërtojnë thellë deri në qindra metra nëpër male. Të dhënat e fundit sugjerojnë se lideri i Boko Haram mund të fshihet atje.

Kur Guoza u pushtua nga xhihadistët gushtin e kaluar, mijëra banorë mbetën të bllokuar dhe të tmerruar në shpatet e malit dhe pa ushqim.

Ata mbetën të braktisur pasi ushtria u largua, duke u lënë xhihadistëve fushë të lirë për të vepruar. Tani, në prag të zgjedhjeve ka ardhur lajmi i mirë për ata që mbijetuar, edhe pse me një kosto të lartë.

Mijëra njerëz janë vrarë që nga viti 2009, kur grupi nisi rebelimin e tij për të krijuar një shtet islamik.  Rreth 3 milionë banorë vlerësohet të kenë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të dhunës dhe terrorit dhe shumë prej tyre nuk do të kenë mundësi të votojnë.

Top Channel