Lame: Qindra institucione publike me ndërtime pa leje

27/03/2015 00:00

Krahas objekteve të paligjshme të ndërtuara nga qytetarët janë me qindra, institucionet shtetërore që kanë ndërtuar po ashtu pa leje, që nga shtesat anësore apo të kateve, deri te ndërtimet tërësisht të reja.

Lista e këtyre objekteve nis nga vetë Drejtoria e ALUIZNI-t, e Qarkut Tiranë. Por kreu i Agjencisë, Artan Lame thotë se një pjesë e këtyre institucioneve, jo vetëm kanë shkelur ligjin, por nuk janë përfshirë as në procesin e vetëdeklarimit për legalizim, të mbyllur në fund të muajit janar.

“Është e paimagjinueshme, që një shtet të ndërtojë pa leje, në një kohë kur ka ligje që dënojnë qytetarët, që e bëjnë një gjë të tillë. Në qoftë se një pjesë e këtyre institucioneve, vërtet kanë ndërtuar pa leje, por më pas u përfshinë në procesin e vetëdeklarimeve dhe legalizimeve, rezultojnë edhe një numër shumë i madh institucionesh, të cilat me gjithë kërkesën me shkrim të bërë drejtpërdrejt ndaj tyre, nuk e vranë mendjen t’u nënshtrohen ligjeve të shtetit”, tha Artan Lame.

Këto institucione variojnë nga ato të administratës qendrore; ministri, institucione varësie, agjenci, institucione arsimore, drejtori rajonale; duke vazhduar pastaj me institucione të qeverisjes vendore, komuna e bashki.

“Të gjendur përpara kësaj situate, unë u bëj thirrje edhe njëherë – tashmë jo mijëra qytetarëve, që iu bindën ligjit – por institucioneve shtetërore, që ta zbatojnë atë. Ne do të bëjmë një ndryshim në aktet nënligjore për ta mundësuar një gjë të tillë, por është e domosdoshme që edhe këto institucione të mos bëjnë asgjë më shumë, sesa zbatimin e detyrimeve ligjore”, tha Artan Lame.

Në fund të deklaratës, Lame shprehu edhe njëherë ambicien e tij për kandidaturën e Bashkisë së Tiranës.

“Vazhdojnë të më hanë duart. E kam bërë publike sa herë jam pyetur për këtë, sepse jam qytetar i këtij qyteti. Kam bindjen që për këtë do të ketë një diskutim publik brenda radhëve tona, për nxjerrjen e kandidaturave në fund”, deklaroi Lame.

Top Channel