Ballsh, sherri në zyrat e OSHEE vijon në rrugë; plagoset drejtori

27/03/2015 00:00

Një sherr është verifikuar pasditen e së premtes në zyrat e OSHEE në Ballsh, mes një konsumatori dhe drejtorit të seksionit të faturave e që ka përfunduar me plagosjen e këtij të fundit.

Sipas autoriteteve lokale, pas përplasjes në ambjentet e zyrës, që është shuar falë ndërhyrjes së policisë, drejtori Kastriot Xhemalaj nuk është mjaftuar me aq.

Ai ka dalë jashtë për t’u përballur sërish me qytetarin, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, por pasi nuk e ka gjetur atë përreth ka marrë automjetin e tij dhe është vënë në ndjekje.

Në përpjekje për ta arritur, Xhemalaj i ka dhënë shpejtësi maksimale automjetit dhe kur ka arritur në dalje të qytetit ka humbur kontrollin, është përplasur me një makinë tjetër dhe ka përfunduar jashtë rrugës.

Nga impakti Xhemalaj ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa djali i tij, që udhëtonte bashkë me të në makinë, nuk ka pësuar lëndime, bëjnë të ditur burimet.

Mësohet se Policia nuk e ka raportuar aksidentin, ndërsa Xhemalaj është prezantuar në spitalin e Fierit si një elektricist i thjeshtë i OSHEE-së.

Burime nga kjo zyrë në Ballsh thanë për Top Channel se kjo nuk është hera e parë që drejtori përfshihet në konflikt me qytetarët që ankohen për shërbimin e kësaj zyre.

Top Channel