Avokatët mbrojtës: Ndalimi i Frrokut, i jashtëligjshëm. Do të kërkojmë lirimin

27/03/2015 00:00

Avokatët mbrojtës të deputetit, Mark Frroku shprehen se klienti i tyre
është i befasuar nga ndalimi, që i është bërë, si dhe nga fakti që është
përfshirë në historinë e atentatit që deputeti tjetër Tom Doshi,
pretendon se do kryhej ndaj tij, me urdhër të kryeparlamentarit, Ilir
Meta.

Këtë qëndrim, Frroku mësohet se e ka patur edhe para prokurorëve dhe oficerëve gjyqësorë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, konfirmuan avokatët e tij mbrojtës, Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj.

“Prangosja e klientit tonë është e jashtëligjshme dhe në seancën gjyqësore për masën e sigurisë do të kërkojmë lirimin e tij.Mark Frroku nuk ka pasur asnjë dijeni për atentatin që Doshi pretendon se do të bëhej ndaj tij. Frroku është i befasuar se si persona të tjerë kanë sajuar vrasje të porositur gjoja nga kryetari i Kuvendit. Klienti ynë përjashtohet në mënyrë kategorike nga ndonjë dijeni për porositje të ndonjë vepre të tillë, nuk e di kush i sajon këto gjëra, akuza të fabrikuara nga njerëz të papërgjegjshëm”, u shpreh Vishaj.

Top Channel