Unioni i Gjyqtarëve: KLD në gjendje paligjshmërie. Nuk po emërohen magjistratët e rinj

26/03/2015 00:00

Kur duket se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndodhet në ngërç, Unioni i Gjyqtarëve i bën apel që të emërojë në detyrë 10 magjistratë, të cilët prej 9 muajsh po mbahen pezull, pa u lejuar që të futen në sistemin e drejtësisë.

I pyetur nga Top Channel, kreu i Unionit të Gjyqtarëve në vend, Gerd Hoxha deklaroi se në këtë situatë KLD është në gjendje paligjshmërie.

“Për momentin nuk mund të komentoj, sepse komentin e vetëm e ka bërë bordi drejtues i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. Sot do të dalë një deklaratë e këtij bordi, me anë të së cilës i bëhet një apel KLD-së për këtë situatë jo të këndshme dhe të paligjshme të krijuar lidhur me mosemërimin e 10 magjistratëve, të cilët kanë 6 muaj që janë pa punë dhe vazhdojnë të paguhen nga taksapaguesit”, tha Gert Hoxha, kryetar i Unionit të Gjyqtarëve.

Ndërkohë, me anë të kësaj deklarate për mediat, Unioni i Gjyqtarëve shprehet se po ndjek me shqetësim gjendjen në disa gjykata, të cilat nuk po plotësohen me vendet vakante, pavarësisht se ato po punojnë nën kapacitetin e duhur.

Në lidhje me mosemërimin e magjistratëve në detyrë, Unioni shton se megjithëse janë zhvilluar disa mbedhje nga KLD, ende nuk ka një vendimmarrje të tillë, pavarësisht se KLD e ka detyrim ligjor t’i emërojë menjëherë pas diplomimit.

Kjo gjendje paligjshmërie, fatkeqësisht – thuhet më tej – po kthehet në një traditë.

Top Channel