Negociatat SHBA-Iran/ Donald Trump: Po zhvillojmë biseda shumë miqësore, të shohim si do përfundojnë
Një turmë protestuesish në Miçigan të Shteteve të Bashkuara kanë kërkuar shkarkimin nga detyra të dy agjentëve të policisë, pasi një video i tregonte ata teksa rrihnin brutalisht një të dyshuar me ngjyrë.
Floyd Dent, 57 vjeç, u arrestua gjatë një kontrolli të trafikut në janar, ndërsa videoja e publikuar së fundmi tregon një oficer që e godet disa herë atë me grushte në kokë teksa mbahet i shtrirë në tokë.
“Jam me fat që jam gjallë. Mendoj se ata donin të më vrisnin, sidomos kur tentuan të më mbysnin”, tregoi 57-vjeçari Dent për një televizion lokal, që transmetoi pamjet ditën e martë.
“Kisha mbetur pa frymë, u thosha oficerëve ‘ju lutem, nuk marr dot frymë’, por ata vazhdonin”, vijoi ai rrëfimin e tij.
Dent tha gjithashtu se kishte kaluar dy ditë në spital për të mjekuar plagët e marra në fytyrë dhe në kokë.
Policia fillimisht e akuzoi atë për agresion, rezistencë ndaj arrestimit dhe zotërim narkotikësh, duke deklaruar se kishte gjetur kokainë në sediljen e pasagjerit të makinës së tij.
Por 57-vjeçari thotë se ishin policët ata që e vendosën drogën atje. Akuzat për agresion ndaj agjentëve dhe rezistencë ndaj arrestimit u rrëzuan më vonë.
Së fundmi në Shtetet e Bashkuara janë rritur ndjeshëm rastet e dhunimit të personave me ngjyrë nga policia.
Rastet e vrasjes së disa të rinjve nga agjentët në Ferguson dhe Nju Jork kanë bërë që të ngrihen shumë debate mbi të drejtat e komunitetit afro-amerikan.
Top Channel