Ligjvënësit britanikë:  Të ndalojmë urgjentisht largimin e të tjerë britanikëve drejt ISIS-it

26/03/2015 00:00

Në Britani, shqetësimet i ngrenë një grup ligjvënësish. “Nuk po bëhet mjaftueshëm për të ndaluar largimin nga Mbretëria e Bashkuar të atyre, që shkojnë të bashkohen me militantët e Shtetit Islamik në Siri e Irak”.

“Britania – thotë presidenti i Komitetit të Çështjeve të Brendshme, Keith Vaz – duhet të fitojë zemrat dhe mendjet e këtyre njerëzve”.

“Numri i rasteve të përcjella vëmendjes së opinionit publik duhet të shërbejë si kambanë alarmi për të gjithë. Pa një përpjekje serioze për t’i afruar këta njerëz, rrezikojmë të dështojmë parandalimin e largimeve të tjera. Jemi në buzë të greminës”, tha Keith Vaz, ligjvënës britanik.

Raporti i komitetit në fjalë vjen në kohën, kur BBC bëri publike bazën e të dhënave të xhihadistëve britanikë në dy vendet me territore të pushtuara nga ISIS-i. Dokumenti tregon se shumë prej tyre janë larguar në grupe, për shkak miqësish të hershme apo edhe afrimesh të vona.

Hartuesit e raportit argumentojnë se puna parandaluese me komunitetet, familjet dhe partnerët ndërkombëtare është e një rëndësie jetike dhe duhet të përbëjë prioritet kryesor për Ministrinë e Brendshme.

Korrespondentët e BBC-së kanë grumbulluar dëshmitë e dhjetëra burrave, grave, djemve e vajzave, që kanë zgjedhur të shkojnë në Siri e në Irak, duke u përpjekur të kuptojnë ‘përse’-në e një vendimi të tillë, arsyet që i shtyjnë drejt këtij hapi, origjinën dhe çfarë ndodh më pas me ta.

Nëpërmjet analizimit të rreth 160 profileve, gjiganti mediatik zbuloi se shumë largohen bashkë, siç është rasti i tre miqve nga Coventry, apo ai i një tjetër grupi nga Portsmouth, pjesëtarët e të cilit u tërhoqën nga një i njohur i përbashkët.

Rrjetet sociale, thuhet në raport, mund të kenë luajtur rol, por më i rëndësishmi nga të gjithë rezulton të jetë kontakti ballë për ballë.

Top Channel