Greqi, lirohen gardianët që dhunuan për vdekje Ilia Karelin

26/03/2015 00:00

Me vendim të Këshillit të Gjykatës së Apelit të Selanikut, lirohen deri në zhvillimin e gjyqit rojet e burgut, të arrestuar me akuzën për bashkëfajësi në aktet barbare të torturave, me të cilat kanë shkaktuar vdekjen e të dënuarit shqiptar Ilia Kareli, marsin e vitit të kaluar.

Bëhet fjalë për 6 gardianë të arrestuar, nga gjithsej 13 që janë të përfshirë në çështjen “Kareli”, dhe që po lirohen nga burgu i Diavatasë në Selanik, pasi në prill skadon afati i paraburgimit prej 12-muajsh.

Këshilli Gjyqësor ka vendosur të zëvendësojë masën e paraburgimit të përkohshëm, me kushte kufizuese siç janë ndalimi i daljes jashtë Greqisë, paraqitja e detyrueshme në rajonet e policisë pranë të cilave jetojnë dhe 3000 euro garanci për secilin.

Lirimin e tyre me kusht e ka propozuar edhe prokurori i çështjes, i cili midis të tjerash ka theksuar në kërkesën e tij se paraburgimi i tyre i përkohshëm nuk ka më bazë proceduriale e substanciale, dhe se 6 gardianët nuk kishin bërë ndonjë tentativë për t’u larguar para arrestimit, nuk kanë pasur precedentë penalë, janë kryefamiljarë dhe përgjegjës për familjet e tyre.

6 rojet e burgut, bashkë me 7 kolegët e tyre që në këto momente janë të pezulluar, presin të dalin në gjyq në muajt e ardhshëm, për një nga rastet më të bujshme të torturave në burgjet greke.

Më 25 mars të 2014-s, i burgosuri shqiptar Kudret Kume, i njohur si Ilia Kareli, ka plagosur për vdekje Jorgo Tsironin, një roje në burgun e Malandrinos. Tre ditë më pas, gjatë transferimit të tij në institucionin penitenciar të Nigritës, 90 km larg Selanikut, rojet e këtij burgu kanë ushtruar tortura në mënyrë të vazhdueshme mbi të, duke dashur ta ndëshkojnë për vdekjen e kolegut të tyre.

Rezultat i këtyre veprimeve ishin shkaktimi tek ai i dëmtimeve të shumta dhe të rënda trupore, si dhe thyerja e brinjëve të kafazit të kraharorit. Kjo frakturë dhe aktet e torturave të vazhdueshme kanë shkaktuar pas disa orësh vdekjen e Ilia Karelit.

Përveç 13 gardianëve, në gjyq do të dalë edhe ish-drejtori i këtij burgu, që përballet me veprën penale të nxitjes së aktit dhe të mbështetjes së fajtorëve, i cili në fillim është pezulluar edhe ai, por më pas është emëruar përgjegjës i rojeve në të njëjtin burg.

Top Channel