Siguria e fluturimeve të lira, pilotë me paga më të ulëta

25/03/2015 00:00

“Pilotë të rinj e rroga më të ulëta. Shikoni pak në fytyrë komandantët e kompanive të linjave normale dhe ata të “low cost”-eve: në rastin e parë janë nga 40 vjeç e lart, në të dytën sheh edhe të rinj që sapo kanë arritur të 30-tat.”

Këtë thotë një pilot i cituar nga gazeta italiane ‘Corriere della Sera’ e që preferon të ruajë anonimatin. E vërteta mund të jetë kështu, mund të jetë dhe ndryshe. Por, ajo çfarë dihet me siguri për momentin është se incidenti i Germanwings ka ngjallur menjëherë diskutime, dyshime, ka ngritur pyetje mbi sigurinë e fluturimeve të lira, të cilat, që pas viteve ‘90, i kanë bërë qiejt e Europës të prekshëm për xhepat e të gjithëve.

Nga Milano në Londër, nga Roma në Paris, nga Dublini në Madrid, qoftë Ryanair,  Easyjet apo të tjerë, kompanitë “low-cost” janë gjithmonë e më të preferuara. Vetë Lufthansa i kushtoi vëmendje të veçantë, aq sa në fund të vitit 2014, bordi i saj drejtues aprovoi projektin “Wings” që përgatitet të ofrojë dhe fluturime transatlantike, gjithmonë me kosto shumë të ulët.

Ndryshimet dhe riorganizimet nuk u pritën fort mirë nga pilotët e gjigandit gjerman të qiellit, të cilët protestojnë prej muajsh ndaj ndryshimeve, transferimit të personelit e tkurrjes së shpenzimeve deri në 20%. Por, incidenti në alpet franceze nxjerr me urgjencë në plan të parë një tjetër çështje, atë të sigurisë.

Si arrijnë kompanitë “low cost” të garantojnë tarifa kaq të ulëta? Ryanair-i është akuzuar shumë shpesh në të kaluarën për kursime të mëdha tek karburanti dhe personeli. Por, hetimet kanë treguar se shkurtimet kanë të bëjnë me uljen e numrit të vendeve, heqjen e shërbimeve në bord, reduktimin e pagës e bonuseve. Por, kur flitet për operacionet e mirëmbajtjes dhe të fluturimit, ato janë të njëjta pasi i binden rregullave europiane të vlefshme për të gjitha kompanitë ajrore, me kosto më të lartë apo më të ulët qofshin.

Ndryshimin mes këtyre të fundit e përbëjnë kontratat e punës, shpjegon i njëjti pilot për ‘Corriere della Sera’. Kostot e fluturimeve janë të larta, një orë në ajër mund të shkojë në 7 mijë euro shpenzime karburanti, taksash të uljes e të tjera, ndaj nuk e di sesi ia bëjnë për të mbuluar shpenzimet.

E vërteta është se nga 20 fatkeqësitë më të mëdha ajrore në qiejt e Amerikës, vetëm dy kanë pasur të përfshirë fluturime të lira. Në Europë, përpara kësaj të Germanwings, përmendet rrëzimi i një avioni “charter” të kompanisë qipriote Helios Airëays në Greqi, 14 gushtin e vitit 2005, ku vdiqën 121 vetë, dhe ai i avionit MD-82 të Spanair, të rrëzuar menjëherë pas ngritjes në ajër në Madrid, 20 gushtin e vitit 2008, ku humbën jetën 154 persona.

Top Channel