Shqipëria nënshkruan Konventën e KiE-së kundër trafikimit të organeve njerëzore

25/03/2015 00:00

Shqipëria ka nënshkruar këtë të mërkurë në Santiago të Spanjës, Konventën e Këshillit të Europës kundër trafikimit të organeve njerëzore, e para e këtij lloji që nënkupton bashkëpunimin ndërkombëtar kundër trafikimit të organeve njerëzore, si dhe fuqizimin e aspektit ligjor.

Konventa u nënshkrua nga 14 vende, ku 11 prej tyre janë anëtare të Bashkimit Europian dhe nga tre vende jo-anëtare, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjon Jagland.

Për palën shqiptare firmosi zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea.

Konventa e Këshillit të Europës kundër Trafikimit të Organeve Njerëzore është konceptuar si një akt i përbashkët ndërkombëtar në luftën kundër këtij trafiku, në respektim të të drejtave themelore të njeriut dhe në mbrojtje të të drejtave të viktimave.

Në qendër të Konventës është mbrojtja e të drejtave të viktimave ardhur nga kryerja e veprës penale të trafikimit të organeve njerëzore, e cila do të arrihet nëpërmjet një bashkëpunimi ndërkombëtar.

Bazuar në këtë Konventë, palët nënshkruese do të marrin masa të nevojshme legjislative për të vendosur si vepër penale sipas ligjeve të brendshme, rastet e kryerjes me qëllim të heqjes dhe përdorimit të organeve njerëzore, nga të gjallët apo dhuruesit e vdekur.

Top Channel