Rrëzimi i avionit, rinis operacioni i kërkimit

25/03/2015 00:00

Operacioni i kërkimit dhe rekuperimit të pjesëve të avionit të Germanwings të rrëzuar një ditë më parë në alpet franceze me 150 persona në bord ka rinisur, por terreni i thyer malor i vështirëson së tepërmi përpjekjet e gjetjes së pjesëve të Airbusit të copëtuar, ndaj zyrtarët paralajmërojnë se mund të zgjasë për disa ditë.

Vendi i rrëzimit është rrëpirë e thellë mes Digne-s dhe Barcelonnette-s. Zonën e tragjedisë pritet ta vizitojnë udhëheqësit e tre vendeve të përfshira në fatkeqësi: Gjermania, Franca dhe Spanja. Airbusi A320, fluturimi 4U 9525, i nisur nga Barcelona drejt Dyseldorfit, u përplas në tokë pas një pikiate prej 8 minutash.

Informacionet fillestare përfshinin disa deklarata të zyrtarëve të aviacionit francez se pilotët kishin dërguar thirrje për ndihmë, por me kalimin e orëve u bë e qartë se një kërkesë e tillë nuk kishte mbërritur kurrë. Dhe pikërisht kjo intrigon ekspertët e fushës.

Një rënie prej 9753 metrash, 8 minuta tmerri për pasagjerët dhe ekuipazhin dhe asnjë sinjal për ndihmë: zbardhja e arsyes përse gjatë atyre çasteve dramatike nuk u dërgua kurrë një thirrje e tillë, është detyra kryesore e hetuesve. Zyrtarët besojnë se 67 prej personave në bord ishin gjermanë, përfshirë 16 nxënës që ktheheshin nga një udhëtim shkëmbimi eksperience në shoqërinë e dy mësuesve. Adoleshentët ishin vonuar e mund ta kishin humbur fluturimin, por falë një gjesti mirësie, u lejuan të ngjiten në avion. 

Mbi 40 pasagjerë besohet të kenë qenë spanjollë, të tjerët ishin australianë, turq, danezë, holandezë dhe belgë, e sipas ministrit të Jashtëm të Britanisë, në bord mund të ketë pasur edhe disa anglezë.

Falë helikopterëve, një ekip i ndërhyrjes së shpejtë mbërriti në zonën e aksidentit të martën dhe arriti të gjente njërën prej dy kutive të zeza të avionit. Edhe pse i dëmtuar keqas, regjistruesi i zërit pritet të japë informacione të vyera mbi këtë aksident misterioz.

Rekuperimi i regjistruesit të të dhënave nga ana tjetër do të jetë prioritet i kërkimeve përgjatë ditës së sotme. ‘Germanwings’, një kompani “low-cost” e kontraktuar prej linjës më të madhe ajrore ‘Lufthansa’, ka një historik sigurie të shkëlqyer, e së bashku, liderët francezë, spanjollë e gjermanë shprehën një tronditje të thellë nga lajmi i këtij aksidenti.

Rindërtimi i parë i ngjarjes tregon se avioni është ngritur nga Barcelona në 9 të mëngjesit me orën lokale. Për një arsye ende të pazbardhur e të pakuptueshme, sipas ekspertëve, ai papritur nis të ulë shpejtësinë e të humbë lartësi, pastaj vjen rënia e frikshme për 8 minuta të gjata. Kontakti me radarët francezë humbi në 9 e 53 minuta. Përplasja me tokën ishte aq e fortë, sa depozita e karburantit, praktikisht, është shpërbërë e tëra.

“Është copëtuar i gjithi”, tha për Associated Press, presidenti i Këshillit të Alpes-de-Haute-Provence, Gilbert Sauvan. Pjesët më të mëdha që kanë mbetur, nuk kalojnë përmasat e një makine të vogël.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier e pa nga lart me helikopter zonën e aksidentit dhe bëri këtë përshkrim: ishte një tablo tmerri, u shpreh ai.

E ndërsa hetimet mbi zbardhjen e ngjarjes vazhdojnë, Shtëpia e Bardhë nxitoi të deklaronte se deri më tani nuk ka prova, që të tregojnë se mund të bëhet fjalë për një akt terrorist.

“Germanwings” konfirmoi se avioni ishte lënë në tokë të hënën për një orë, në mënyrë që të kryheshin disa riparime. Zëdhënësi i kompanisë këmbënguli se nuk kishte ndonjë problem madhor, thjesht një zhurmë e derës, që u rregullua dhe mjeti u ngrit në ajër sërish.

Top Channel