Jemen, Arabia përgatitet për luftë me militantët e përkrahur nga Irani

25/03/2015 00:00

Arabia Saudite ka nisur transferimin e mjeteve të rënda ushtarake, përfshi edhe artilerinë e rëndë, në zonat kufitare me Jemenin, duke shtuar kështu rrezikun që superfuqia e naftës në Lindjen e Mesme të përfshihet në konfliktin e përkeqësuar të Jemenit. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë amerikanë këtë të martë.

Grumbullimi i ushtrisë në pjesën jugore të vendit ka ardhur si pasojë e avancimeve të militantëve të mbështetur nga Irani, shiitët Houthi, të cilët kanë marrë nën kontroll kryeqytetin Sanaa që prej shtatorit dhe pushtuan qytetin qendror të Taizit gjatë fundjavës, duke u afruar me bazën e re jugore të presidentit jemenas, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Abd-Rabbu Mansour Hadi.

Përkeqësimi i situatës në Jemen, duke rrëshkitur deri në prag lufte, e ka bërë këtë vend një front deciziv sa i përket rivalitetit të Arabisë Saudite në rajon me Iranin, teksa Republika Islamike akuzohet nga Riadi për nxitje të konflikteve sektariane përmes mbështetjes së tyre ndaj grupeve Houthi.

Konflikti rrezikon të shkaktojë një tjetër luftë, për shkak se liderët e grupit Houthi të mbështetur nga Irani aderojnë në sektin Zaydi të Islamit shiit, ndërsa Arabia Saudite dhe monarkitë e tjera muslimane të rajonit mbështesin Hadin.

Transferimi i ushtrisë dhe artilerisë së rëndë nga Arabia Saudite mund të përdoret qoftë për qëllime ofensive, ashtu dhe për difensive, thanë burime të ndryshme të qeverisë amerikane. Ndërsa dy të tjerë, të cilët folën për “Reuters” në kushte anonimiteti thanë se kjo lëvizje ka synime difensive.

Një burim nga qeveria amerikane e përshkruan përmbajtjen sasiore ushtarake të Sauditëve në kufirin me Jemenin si “domethënëse”, duke shtuar se Sauditët po përgatiten edhe për sulme ajrore në mbështetje të Hadit, nëse grupet Houthi do të sulmojnë refugjatët e presidentit jemenas në qytetin portual jugor të Adenit.

Top Channel