Simeone rinovon kontratën me Atletico Madrid

24/03/2015 00:00

Diego Pablo Simeone ka zgjatur kontratën me Atletico Madrid deri në qershor të vitit 2020. Kontrata e trajnerit argjentinas me klubin madrilen përfundonte në vitin 2017 dhe njoftimi për nënshkrimin e kontratës së re erdhi në stadiumin Vicente Calderon, në prani të presidentit të klubit, Enrique Cerezo, dhe drejtorit sportiv José Luis Pérez Caminero.

Simeone mori detyrën e trajnerit të bardhekuqve në vitin 2011 dhe që atëherë ka fituar një Europa League, një Kupë Mbreti, një Superkupë Europe, një kampionat dhe një Superkupë Spanje. Gjithashtu, sezonin e kaluar ishte finalist i Champions League.

“Është një moment i rëndësishëm për klubin dhe për mua. Kemi punuar shumë për të arritur këtë stabilitet që kemi sot. Klubi ka besuar në punën time dhe të ndihmësve të mi. Nuk do të arrinim asgjë nga ato që kemi arritur pa mbështetjen e klubit dhe punën e lojtarëve”, tha Simeone.

Top Channel