“Projekti Liria”/ Trump i hap rrugë operacionit të ri në Hormuz, mundëson kalim të sigurt për anijet e vogla që nuk janë të përfshira në konflikt Rusia duket se po punon mbi një marrëveshje për t’i dhënë me qira Argjentinës 12 avionë bombardues me rreze të gjatë veprimi, çka ushqen frikën e një pushtimi të mundshëm të ri në ishujt Falkland.
Sipas britanikes “The Sun”, avionët “Sukhoi Su-24” do të dërgohen në Buenos Ajres në këmbim të furnizimit me mish, i cili duket se nuk gjendet mjaftueshëm në tregun rus, për shkak të sanksioneve të Bashkimit Europian.
Vladimir Putin thuhet të jetë duke ndihmuar riarmatosjen e këtij vendi dhe, nëse është vërtetë kështu, atëherë situata merr një kthesë të rrezikshme duke i shtyrë vetë zyrtarët britanikë ta përshkruajnë si të mundshëm skenarin e një mësymjeje të re në territorin që ndodhet në jug të Atlantikut.
Londra po përgatitet të dërgojë trupa dhe pajisje ushtarake shtesë në ishujt në fjalë dhe më e ngutshme për momentin paraqitet nevoja për helikopterë transporti. Të tilla vendime, sipas ekspertëve, nuk pasqyrojnë veçse shqetësimin ndaj një kërcënimi në rritje.
Arqipelagu i ishujve të ndodhur vetëm 483 km nga brigjet e Argjentinës është arsyeja e një konflikti të hershëm mes kësaj të fundit dhe Britanisë. Anglezët këmbëngulin se ishte John Davis ai që i zbuloi këto toka në 1592-shin, ndërsa argjentinasit thonë se të parët aty kanë shkelur spanjollët.
Pretendimet për zotërimin e ishujve kanë vazhduar në shekuj, por kulmin e tij konflikti mes dy vendeve e arriti majin e 1982-shit, kur në atë që u përshkrua si gjest çnjerëzor, një nëndetëse britanike fundosi luftanijen argjentinase “ARA General Belgrano”.
Të 323 jetët e humbura prej sulmit përbëjnë gati gjysmën e totalit të viktimave të palës argjentinase gjatë gjithë luftës për kontrollin e ishujve në fjalë.
Top Channel