Mishel Platini rizgjidhet në krye të UEFA-s

24/03/2015 00:00

Mishel Platini do të jetë president i UEFA-s edhe për 4 vitet e ardhshme. Për francezin, i cili ishte kandidati i vetëm në garë, mandati i tretë radhazi i jep mundësinë të marrë dhe postin e zv/presidentit të FIFA-s.

Në faqen zyrtare të UEFA-s thuhet se Mishel Platini ka marrë miratimin e delegatëve nga 54 federatat anëtare të këtij organizmi, mes të cilave është edhe Federata Shqiptare e Futbollit. 

Gjatë fjalimit të tij në kongresin e zhvilluar në Vjenë, 59-vjeçari theksoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë luftën kundër shfaqjeve nacionaliste në stadiume.

Një deklaratë kjo që bie ndesh me atë çfarë vendosën komisionet e UEFA-s për dhunën dhe racizmin e shfaqur gjatë ndeshjes së 14 tetorit Serbi – Shqipëri.

Dy nga projektet më të rëndësishme të Platinisë për 4 vitet e ardhshme është të bëjë Europianin me 24 skuadra dhe formulë të re për ndeshjet paraeleminatore të Champions League.

Në lidhje me mosmarrëveshjet mes UEFA-s dhe FIFA-s, Platini kërkoi që të mos besohet gjithçka që dëgjohet: “Ka njerëz që duan të na përçajnë. Futbolli europian e dashuron FIFA-n. Duke qenë se e duam, i kërkojmë që të jetë perfekte. Duam një FIFA të fortë dhe të respektueshme. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të mirën e futbollit.”

Top Channel