Zhvlerësimi i lekut rrit borxhin. Për 9 muaj, detyrimet u rritën me 9.7 miliardë lekë

23/03/2015 00:00

Dobësimi i ndjeshëm i lekut ndaj disa monedhave të huaja e ekspozon ekonominë edhe para një rreziku tjetër, atij të rritjes së borxhit që vendi ka marrë në valutë. Ashtu si individët, që kanë kredi në valutë, por të ardhura në lekë, edhe qeveria është njësoj e prekur nga ky risk.

Sipas Ministrisë së Financave, në 9 muajt e parë të vitit të kaluar, detyrimet e qeverisë u rritën me rreth 9.7 miliardë lekë, vetëm si pasojë e kursit të këmbimit.

Kjo është sa 0.7 për qind e prodhimit kombëtar dhe, sipas të dhënave, ka ardhur si pasojë e zhvlerësimit të lekut ndaj gjithë monedhave të tjera përveç euros, me të cilën monedha kombëtare ka pasur një kurs të qëndrueshëm.

Në total, borxhi i jashtëm publik arriti në 411.8 miliardë lekë, ose 29.1 për qind e prodhimit kombëtar, në fund të vitit të kaluar. Për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike, por edhe orientimit të huamarrjes në tregjet e huaja, borxhi i jashtëm është rritur nga viti në vit edhe ndaj prodhimit kombëtar.

Kjo prirje do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, ku qeveria ka lajmëruar se do të marrë edhe 250 milionë euro të tjera borxh nga jashtë, për të financuar deficitin e buxhetit.

Aktualisht, pjesa dërrmuese e borxhit të jashtëm, rreth 67.7 për qind, është e denominuar në euro. Kjo i bën financat e vendit të ekspozuara fort ndaj kursit të lekut me monedhën europiane.

Dy vitet e fundit, raportet e këmbimit mes tyre kanë qenë të qëndrueshme. Por, më shumë se qëndrueshmërinë e lekut, ky ekuilibër ka reflektuar pikiatën e monedhës europiane. Një situatë e përkohshme, që nuk e ul rrezikun e kursit te borxhi pasi, sipas vetë llogarive të Ministrisë së Financave, një dobësim i lekut me 15 për qind do e kërcente menjëherë borxhin me mbi 4 për qind ndaj prodhimit kombëtar.

Top Channel