Prokurori që e futi Kroacinë në BE, vizitë në Tiranë

23/03/2015 00:00

Në kohën kur në Shqipëri ka nisur një fushatë e ethshme për dekriminalizimin e politikës, në Tiranë mbërriti Dinko Cvitan, Kryeprokurori i Kroacisë. I një shteti, i cili vetëm pak kohë më parë u bë pjesë e Bashkimit Europian, falë edhe punës së këtij personi.

I lindur në Zagreb në vitin 1958, i diplomuar në Drejtësi, Cvitan nisi karrierën e tij si një avokat, për të përfunduar aty ku është sot, Prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë. Por nuk ka qenë ky post ai që e ka bërë të njohur Dinko Cvitanin.

Nga viti 2005 deri në mars 2014, ai ishte drejtori i Byrosë Kundër Korrpupsionit dhe Krimit të Organizuar, zyrë kjo që në bazë të hetimeve të saj çoi në prangosjen e ish-kryeministrit të Kroacisë, Ivo Sanader.

Një vit pasi ishte larguar nga pushteti, në dhjetor të vitit 2010 në tentativë për t’iu shmangur hetimeve të nisura ndaj tij për korrpupsion, Sanader u arrestua nga policia austriake e më pas u ekstradua në Kroaci.

Nën akuzën e korropsionit dhe abuzimit me pushtetin për përfitime personale, Gjykata e Zagrebit, në nëntor 2012 e dënoi ish-kryeministrin e vendit me 10 vite burg. Por nuk ishte ky i vetmi dënim për Sanader, pasi vetëm pak ditë më parë ai u dënua edhe me 9 vite burg.

Ish-kryeministri Sanader dhe partia e tij politike, Unioni Demokratik Kroat, akuzohen për devijim të më shumë se 9 milionë eurove nga fondet publike, duke përdorur agjencinë e marketingut “Fimi Media”.

Më shumë se 2 milionë euro pritet t’i konfiskohen ish-kryeministrit kroat, ndërsa partia e tij do të paguajë një dëmshpërblim prej 3 milionë eurosh. Dhe ishte kjo lëvizje e drejtuar nga Dinko Cvitan ajo që i hapi rrugën anëtarësimit të Kroacisë për në Bashkimin Europian.

Por Cvitan nuk u mjaftua me kaq. Pasi kishte marrë postin e kryeprokurorit, po me firmën e tij u bë dhe arrestimi i kryebashkiakut të Zagrebit, Milan Bandiç, i cili po ashtu u akuzua për korrupsion.

Nëse flamuri i Kroacisë valëvitet sot mes 28 flamujve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, një meritë të padiskutueshme ka dhe Dinko Cvitan, i cili ndryshe nga retorika e dekirminalizimit që përdoret në Shqipëri arriti atë që Bashkimi Europian i kërkoi Kroacisë, edhe pse jo zyrtarisht, arrestimin e zyrtarëve të korruptuar.

I ngjashëm për vendosmërinë dhe guximin e tij me Falcone apo Borselino në Itali, Dinko Cvitan përtej meritave të politikës, të cilat gjithnjë rendin të korrin sukseset, do të jetë personi i cili ka meritat e vërteta të anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian.

Top Channel