Avokatët e Doshit: Kërkesa për arrest është e paligjshme

23/03/2015 00:00

Me anë të një memoje, avokatët e deputetit Tom Doshi i kërkojnë
Prokurorisë së Përgjithshme që të tërhiqet nga qëndrimi për të siguruar
një autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Doshit.

Sipas përfaqësuesve ligjorë të deputetit Doshi, pas shpalljes së moskompetencës nga Krimet e Rënda, Prokuroria e Përgjithshme ka kryer vetëm regjistrimin e procedimit penal dhe, duke mos kryer asnjë veprim tjetër hetimor, kërkon nga Kuvendi marrjen e të drejtës për të arrestuar Doshin e për të kryer kontroll personal dhe të banesës së deputetit.

Në kërkesë përmenden edhe ndryshimet në ligj për heqjen e imunitetit të deputetëve, çka lejon organin e akuzës të fillojë procedimin.

“Por, – shprehet avokati Vladimir Meçi,-  kjo s’do të thotë që deputetit t’i shkelen e t’i mohohen të drejtat, qe i garantohen çdo shtetasi të vendit”.

Më tej, avokatët shpjegojnë se si për personin, ndaj të cilit po zhvillohen hetime, edhe ndaj atij që është marrë i pandehur, duhet të kryhet njoftimi nga prokurorët, se, ndaj tij kanë nisur hetimet, si edhe t’i njoftohen fakte e prova për të cilat dyshohet.

Në rastin e Tom Doshit, – argumentohet më tej, – nuk janë respektuar kërkesat e këtij ligji.

“Sqarojmë, – vijohet më tej, -se kompetente për hetimin e deputetit është Prokuroria e Përgjitshme, dhe çdo veprim që ka kryer Prokuroria për Krimet e Rënda duhet të konsideroheshin nul”.

Përpara se t’i drejtohej Kuvendit, sipas avokatëve, Prokuroria e Përgjithshme duhet të kryente veprimet përkatëse, siç është komunikimi ndaj deputetit Doshi i fakteve për çfarë dyshohet dhe provat; ta vendoste atë para mundësisë që të mbrohej vetë apo me një avokat, si edhe t’i krijonte mundësinë që të jepte një version të tijin, dhe vetëm pasi të krijonte bindjen se ndaj tij duhej marrë masë sigurimi, të merrej vendimi që u mor.

“Gjithçka kërkojmë, – thonë avokatët,- është respektimi i ligjit e mbi të nuk duhet të dale askush, as Prokurori i Përgjithshëm”.

 

Top Channel