Sulmi në Tunizi, qeveria shfaq videon e agresorëve para masakrës

22/03/2015 00:00

Qeveria tuniziane ka publikuar filmimet që shfaqin autorët e sulmit në muzeun e Bardosë, të mërkurën, ku u vranë 25 persona. Në xhirimet e realizuara nga kamerat e sigurisë, e të bëra publike nga Ministria e Brendshme, shfaqen 2 agresorët ndërsa ecin në muze me armë dhe çanta në duar.

Në njëfarë pike, ata përballen me një vizitor. Fillimisht i drejtojnë atij armët, por më pas e lejojnë të largohet, ndërsa vetë ngjiten nëpër shkallë.

Më herët, një zëdhënëse e Prokurorisë tha se ishte bërë progres i konsiderueshëm në hetime, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Autoritetet kanë arrestuar më shumë se 20 të dyshuar që prej sulmit, përfshirë 10 persona që besohen të jenë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme tha se kishin nisur një fushatë masive kundër ekstremistëve.

Autorët e sulmit në kryeqytetin e Tunizisë besohen se janë trajnuar në Libi, në një zonë të kontrolluar nga militantët e Shtetit Islamik. ISIS deklaroi më herët se qëndronte pas sulmit në muzeun Bardo, që gjendej pranë selisë së Parlamentit në Tuniz.

Agresorët, të identifikuar si Jasin Laabidi dhe Hatem Khachnaoui, u vranë gjatë përleshjes së armatosur me forcat e sigurisë brenda ndërtesës. Të paktën një prej tyre mbante një rrip me eksplozivë.

Mes personave të vrarë në sulm, 20 ishin të huaj ndër të cilët turistë japonezë, italianë, britanikë, spanjollë e kolumbianë. Tunizia po lufton me valën e ekstremizmit islamik, që prej revolucionit të vitit 2011, që rrëzoi nga pushteti diktatorin Zine al-Abidine Ben Ali dhe që i dha nismë të ashtuquajturës “Pranvera arabe”.

Lideri i partisë së moderuar islamike, Enada, tha se vendi do të vazhdojë të jetë nën kërcënimin e sulmeve, për aq kohë sa situata në Libinë fqinje do të jetë e paqëndrueshme.

Top Channel