Pas një mbledhjeje të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe të aleatëve të saj, kreu i opozitës, Lulzim Basha ka publikuar edhe vendimin e marrë, atë të paraqitjes së amendamenteve ligjore e kushtetuese për dekriminalizimin e Parlamentit dhe të administratës.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bashkë me aleatët tanë, kanë vendosur që javën e ardhshme, në kuadër të Marrëveshjes së Dekriminalizimit, të bëjë publike propozimet tona, amendamentet tona, kushtetuese dhe ligjore, për të përjashtuar nga Parlamenti i Shqipërisë dhe nga çdo zyrë tjetër publike, të zgjedhur apo të emëruar, personat me rekorde të tmerrshme kriminale të natyrës së krimit të organizuar. Pas një pune voluminoze, nga ekspertët më të mirë të Partisë Demokratike dhe të vendit, ne jemi gati të ecim me platformën tonë të dekriminalizimit dhe në këtë kuadër, bashkë me qytetarët shqiptarë, kërkojmë angazhimin e plotë të deputetve të shumicës, bashkëpunimin e tyre në kuadër të marrëveshjes, qoftë kjo edhe kundër urdhrave politikë të krerëve të tyre”, tha kreu i PD.
Mazhoranca, sipas Bashës, ka vetëm dy rrugë: Dekriminalizmin e plotë të Parlamentit dhe të institucioneve të tjera publike përmes amendamenteve ligjore brenda kohës më të shkurtër të mundshme të parashikuar nga rregullorja e Kuvendit, ose përballjen me qytetarët shqiptarë në sheshet e protestës popullore.
Po ashtu, kreu i opozitës theksoi se do të kërkohet miratimi edhe i amendamenteve të paraqitura më 20 janar për uljen e çmimit të energjisë dhe të karburantit.
Top Channel