Milani rikthehet te fitorja. 3-1 ndaj Cagliarit, me 11-metërsh të paqenë

22/03/2015 00:00

Milani rigjen më në fund fitoren dhe këtë e bën përballë Cagliarit në “San Siro”, në javën e 28 të Serie A.

Në një lojë nën mesatare, ashtu si të gjitha takimet e javëve të fundit, kuqezinjtë janë përballur edhe me largimin e tifozëve të tyre ultras në këtë ndeshje. Gjithsesi ia kanë dalë mbanë të marrin të paktën 3 pikët.

I përhershmi Menez zhbllokon ndeshjen me një gol shumë të bukur në minutën e 21-të, por me fillimin e pjesës së dytë është Cagliari që barazon me Farias, i cili lë në vend Mexes dhe mposht Diego Lopezin.

Ende pa iu gëzuar mirë këtij barazimi, Mexes shlyen gabimin dhe i jep sërish avantazhin Milanit. Në fundin e ndeshjes, kuqezinjtë përfitojnë nga një 11-metërsh i paqenë i akorduar nga gjyqtari. Menez e shndërron sërish në gol, duke vulosur në 3-1 shifrat e kësaj ndeshjeje.

Me këtë fitore Milani ngjitet përkohësisht në vendin e 7, plot 26 pikë larg Juventusit kryesues.

Top Channel