Marrëveshja me Iranin, Kerry: Progres, por jo nënshkrim. Jo akord dosido

22/03/2015 00:00

Me Iranin nuk do të ketë një marrëveshje të keqe. Ky është premtimi i fuqive të mëdha, të angazhuara të garantojnë se Republika Islamike nuk do të jetë në gjendje të prodhojë një armë bërthamore.

Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara u takuan në Londër me një ndjesi urgjente për vulosjen e një ujdie brenda marsit. Përsa i takon gjetjes së kompromisit, me nota pozitive u shpreh më herët edhe presidenti iranian.

“Nuk ka gjë që nuk mund të zgjidhet”, ishte komenti i Hasan Rouhanit, i përcjellë nga media shtetërore iraniane. Nga sa sqaroi kreu i vendit islamik, raundi i bisedimeve aktuale në Lozanë të Zvicrës dëshmoi një sheshim të këndvështrimeve në disa çështje, ku ka pasur dallime të qëndrimeve, dhe pikërisht afrimi i tyre mund të shërbejë si themel për një marrëveshje përfundimtare.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, para se të nisej për në Londër për diskutime me grupin “P5+1”, tha se, pavarësisht përparimit të bërë, ende vazhdon të ketë një hendek mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit.

Sipas tij, tashmë është momenti të merren disa vendime themelore, ndërsa  fuqitë botërore dhe Irani kanë një mundësi reale për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike të kësaj çështjeje. Shefi i diplomacisë amerikane shtoi se Uashingtoni këmbëngul në arritjen e një marrëveshjeje të mirë, e nuk do të kënaqet thjesht me vulosjen e çfarëdo ujdie.

“Është e qartë se, që kur është rënë dakord për planin e  përbashkët të veprimit, ne nuk kemi nxituar. Ky ka qenë një proces mbi dy vjet e gjysmë i gjatë, por ne mendojmë se vendimet themelore duhet të merren tani dhe marrja e këtyre vendimeve nuk do lehtësohet me kalimin e kohës. Ka ardhur koha për të marrë vendime të vështira. Ne duam një marrëveshje të drejtë, që do ta bënte botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, më të sigurt dhe ky është testi ynë”, tha kryediplomati Kerry.

Bisedimet zyrtare mes Teheranit dhe vendeve të “P5+1”; Britania, Kina, Franca, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania; priten të rifillojnë javën e ardhshme.

Top Channel