Dortmundi e Leverkusen, fitore në Bundesligë pas eliminimit nga Champions

22/03/2015 00:00

Borussia Dortmund arrin më në fund të buzëqeshë, pas dy barazimeve radhazi në kampionat dhe eliminimit në Ligën e Kampionëve.

Skuadra e Jurgen Klopp arriti të mposhtte Hannoverin, në fushën e këtij të fundit, me rezultatin 3-2. Pjesa e parë përfundoi në barazim 1-1, falë golave të Aubameyang për Dortmundin dhe Stindel për Hannoverin.

Kagawa kaloi në avantazh 2-1 skuadrën verdhezi, e cila në fund të fazës së parë e shihte veten në fund të klasifikimit, ndërsa Aubameyang shënoi golin e tretë për të besuarit e Klopp.

Në minutat e fundit të takimit, Stindel shënoi golin e dytë për Hannoverin, por Dortmundi e administroi mjaft mirë avantazhin duke e mbyllur takimin në favor të tij.

Bayer Leverkusen mposhti në ndeshjen më të rëndësishme të së shtunës, rivalët e drejtpërdrejtë për një vend në Champions vitin e ardhshëm, Schalke 04, 1-0 në “Veltins Arena”, duke krijuar me të një diferencë prej 6 pikësh në luftën për një vend në Europë.

Për skuadrën e “aspirinave” mjaftoi një gol i Bellarabit në minutën e 35-të, për të marrë këtë fitore që e mban atë mes 4 skuadrave më të mira të Bundesligës.

Në ndeshjet e tjera të kampionatit gjerman, Freiburg fitoi 2-0 me Augsburg, Stuttgart mundi 3-1 Eintracht Frankfurt, ndërsa sfida mes Këlnit dhe Werder Bremenit përfundoi në barazim 1-1.

Top Channel